Masa disiplinore janë ndërmarrë ndaj disa ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës, të cilët akuzohen për shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës. Dy prej tyre janë përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa ndaj dy të tjerëve janë vendosur masa ndëshkuese administrative.
Sipas burimeve për mediat, nga struktura e policisë janë përjashtuar ish-zv.drejtori për Rendin në Policinë e Lezhës, Taulant Gjoka, si dhe ish-shefi i Komisariatit, Oltion Gjoni.
Ndërkohë, për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, aktualisht zv.drejtor për Rendin në Policinë e Kukësit, është vendosur masa disiplinore “ulje në gradë” për një periudhë 5-vjeçare. Gjithashtu, për zv.drejtorin për Krimet, Kujtim Gjoka, është vendosur shtyrja e afatit të gradimit.
Sipas Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, gjatë periudhës kur këta drejtues ishin në detyrë, në qendër të qytetit të Lezhës funksiononte prej kohësh një kazino trekatëshe me mbi 20 makineta dhe sallë pokeri. Gjatë ndërhyrjes së policisë në ambientet e saj janë sekuestruar edhe lëndë narkotike të dyshuara si kokainë.
Paralelisht me këtë aktivitet të paligjshëm, në aksin nacional Lezhë–Milot, në zonën e Rrilës, funksiononte prej muajit gusht të vitit të kaluar një magazinë e përshtatur për kultivimin e kanabisit, ku gjatë operacionit policor u sekuestruan mbi 1 mijë bimë.
Burimet bëjnë me dije se zbulimi i magazinës së kanabisit dhe goditja e grupit të përfshirë u realizua vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si drejtor i Policisë së Lezhës nga Islor Islami, ndërsa më herët ishte zbuluar edhe kazinoja që operonte në qendër të qytetit.
Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, pritet që edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të nisë hetim penal ndaj katër ish-drejtuesve, lidhur me dyshimet për lejimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe kultivimit të kanabisit.