Mashtrime me kredi online, Policia del me paralajmërim urgjent: Marrin të dhënat bankare!

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar duke paralajmëruar qytetarët për rritjen e rasteve të mashtrimeve online, veçanërisht atyre që lidhen me oferta të rreme për kredi, të cilat synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare.

Sipas njoftimit, Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik ka evidentuar se persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare. Ata i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim mashtrimin dhe përfitimin monetar në mënyrë të paligjshme.

Policia thekson se këto oferta janë mashtruese dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar. Konkretisht, këshillohet që:

  • të mos dërgohen para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar ose faqe interneti të pasigurta;

  • përpara aplikimit për kredi, të verifikohet gjithmonë informacioni dhe legjitimiteti i institucionit financiar;

  • të komunikohet drejtpërdrejt vetëm me personelin bankar, duke përdorur kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, sidomos kur nuk ka mundësi për paraqitje fizike në degë.

Në përfundim, qytetarët ftohen që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale.


⏩𝐊𝐋𝐈𝐊𝐎 𝐊𝐄𝐓𝐔⏪ 𝐏𝐄𝐑 𝐓𝐄 𝐋𝐄𝐗𝐔𝐀𝐑 𝐋𝐀𝐉𝐌𝐈𝐍 𝐄 𝟐..!!!

Leave a comment