Një shtetas shqiptar 28 vjeç është arrestuar në Itali, pasi u kap duke transportuar rreth 30 kilogramë kokainë në automjetin e tij, lëndë narkotike me vlerë miliona euro në treg.
Sipas mediave italiane, i riu u ndalua nga karabinierët e Tenenza di Cologno Monzese, pasi makina e tij e parkuar në një zonë të izoluar pranë unazës rrugore ngjalli dyshime.
Forcat e rendit vendosën të kryenin një kontroll të detajuar ndaj drejtuesit dhe mjetit.
Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazh u gjetën 26 pako të mbështjella, që përmbanin gjithsej rreth 30 kilogramë kokainë. Menjëherë pas zbulimit të lëndës narkotike, 28-vjeçari u arrestua në flagrancë.
Me urdhër të Prokurorisë së Monzës, ai u shoqërua në burg, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e mundshëm kriminal dhe destinacionin final të drogës.