Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kërkesë-padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë kundër institucionit të Presidentit të Republikës (2007–2012) dhe prokurorit të SPAK, Ols Dado. Ai kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008, me të cilin Dado u emërua prokuror, duke argumentuar se në atë kohë ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme.
Sipas padisë, emërimi është bërë në kundërshtim flagrant me ligjin nr. 8737, pasi organi i emërimit ka ushtruar kompetencën pa bazë ligjore dhe në shkelje të kushteve procedurale. Veliaj pretendon se ky akt përbën një rast tipik të pavlefshmërisë absolute, pasi subjekti i emëruar nuk i plotësonte kushtet ligjore dhe dekreti është juridikisht i pavlefshëm që në momentin e nxjerrjes së tij.
Në padi kërkohet gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit për Ols Dadon. Veliaj thekson se, sipas praktikës gjyqësore, dekretet e Presidentit për emërime dhe shkarkime, edhe pse akte të një organi kushtetues, kanë karakter individual-administrativ dhe mund të shqyrtohen nga gjykatat administrative.