“Do t’i përvëloj me benzinë, nuk i lë”- Apeli liroi 3 të dyshuarit për vrasjen, babai i Martin Çeços: S’kam ç’e dua më jetën, do vras ata dhe veten! Mbollën vetë drogë dhe më zhdukën djalin pa faj (Video)

Pak orë pasi Gjykata e Apelit të Tiranës liroi tre të dyshuarit për vrasjen e Martin Çeços tre vite më parë në Maliq, në motive dhe konflikte që ende janë nën hetim dhe të paqarta, ka reaguar i revoltuar dhe i zhgënjyer babai i të ndjerit, Nevzat Çeço.

I moshuari kërcënon me vetëgjyqësi dhe tha se do e bëjë vetë drejtësinë duke i djegur me benzinë autorët dhe më pas me vetëflijim në sallën e gjyqit.

Thotë se nuk ka frikë më nga vdekja dhe se nuk mund ta pranojë që autorët që e deklaruan përfshirjen në krim, tani të lirohen pa dënim fare.

“S’kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Unë do ta ndjek që nesër. Do t’i përvëloj ata me benzinë, do ti përvëloj nuk i le. Arrest shtëpie, lirim janë ato. Mua nuk më dhimbset jeta fare, po nuk i zhduka ata. Nuk i lë, do ta them troç, le të më arrestojnë ç’të duan le të bëjnë, do t’ia gjej radhën, do gjej një bidon me benzinë do t’i përvëloj si familje”, u shpreh ai i revoltuar nga vendimi i Apelit.

Babai thotë se autorët e kanë deklaruar vetë përfshirjen, kurse Gjykata tani i liron.

“Ata janë autorët, e kanë thënë me gojën e tyre vetë dhe tani t’i lirojnë. Djali nuk pati as takime me çupën asgjë, dy dashnorë i kishte, pse nuk bëri krim tek ata, por bëri në djalin tim. Ata kanë mbjellë drogë atje lart dhe për të zhdukur djalin tim kishin dalë në Maliq dy veta. E hape gojën, do të zhdukin i kishin thënë. Djali im s’kishte faj. Nuk besoj më në drejtësia, i dënoi 25 vjet ja dhanë Tiranës thanë ky krim dënohet me burgim të përjetshëm, këta tani i liruan fare”, vijon ai.

I zhgënjyer nga vendimi i drejtësisë për të birin, ai nënvizon se nuk e lë hakun pa marrë, sepse nuk pret tjetër, veçse dënimin maksimal ndaj autorëve.

“Ka mbi 3 vjet, s’kam ç’them më unë do t’i djeg dhe do t’i them djalit e realizova planin tënd. Nuk dua të jetoj më dhe nuk e bëj veten të më arrestojnë, do vras veten në mes të gjyqit atje”, u shpreh ai.

Dhe në fund ai akuzoi autorët se e futën të birin në kurth sepse u zbuloi drogën e mbjellë dhe vrasja erdhi pasi më parë e kishin kërcënuar.

“Kanë bërë ç’u ka dashur qejfi me ata të fshatit. Djalin tim e bënë për krim. Si kam dëgjuar unë ata të dy kanë mbjellë drogë, bashke me atë çobanin. Kur e pikasëm ne që kishin mbjellë drogën, i dolën djalit në Maliq. Nëse hap gojën, do të vrasim i kishin thënë. Ata u lidhen vetë me atë femër. Nuk ishte lidhur djali. Djali kishte këtë në Goskovë. Ata se si e lidhën, për të bërë krimin”, shpjegoi Nevzat Çeço./panorama.al

Leave a comment