Babai i banorit të Big Brother VIP 5, Malit, Faik Retkoceri, nuk ka mundur të jetë i pranishëm në intervistën e planifikuar për emisionin Ftesë në 5, të moderuar nga Bieta Sulo, për shkak të një gjendjeje të rënduar shëndetësore. Lajmi u bë i ditur vetëm pak minuta para lidhjes direkte në studio.
Moderatorja shpjegoi se gjatë tentativës për kontakt, në telefon ishte përgjigjur motra e Faikut, e cila jeton në Francë. Sipas mesazhit të përcjellë nga ajo, Faik Retkoceri ndodhej në spital dhe nuk ishte në gjendje të fliste, pasi gjendja e tij emocionale ishte përkeqësuar nga komentet dhe reagimet në rrjetet sociale.
Kujtohet se gjatë spektaklit të së shtunës, Faik Retkoceri hyri në shtëpinë e Big Brother VIP 5 për të takuar djalin e tij, Mali, pas rreth shtatë vitesh pa kontakt. Takimi nuk u realizua, pasi Mali vendosi që ribashkimin ta përjetojë jashtë shtëpisë, pas përfundimit të rrugëtimit të tij në reality show.