Drejtuesit e automjeteve me aksidente të përsëritura, të rinjtë pa eksperiencë dhe mjetet me fuqi të lartë motorike do të paguajnë më shumë për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, gjatë këtij viti dhe në vijim. Në të kundërt, drejtuesit me historik të pastër pa dëme, makinat e reja dhe ato me fuqi të ulët motorike do të përfitojnë ulje të primit të sigurimit.
Ndikim në tarifë ka edhe mosha e drejtuesit, ku grupmosha 18–21 vjeç paguan më shtrenjtë. Po ashtu, drejtuesit me deri në dy vite eksperiencë në drejtim të mjetit tarifohen më tepër krahasuar me ata me eksperiencë më të gjatë.
Edhe përdorimi i mjetit është një faktor tjetër përcaktues: automjetet në pronësi të subjekteve tregtare paguajnë më shumë sesa ato në pronësi të individëve. Ndërkohë, qarku i regjistrimit ndikon në koston e sigurimit, ku mjetet e regjistruara në qarqet Berat, Dibër dhe Kukës përfitojnë tarifa më të ulëta.
Sipas AMF-së, vjetërsia e mjetit është gjithashtu një element kyç, pasi makinat e reja kanë prim më të ulët sigurimi krahasuar me mjetet e vjetra.
