Ministri Ulsi Manja (Lamallari) deklaroi në një intervistë për gazetarin Arbër Hitaj në Radio Televizioni Shqiptar se përdorimi i mekanizmave alternative ligjore do të ndihmonte ndjeshëm në uljen e stokut të dosjeve në gjykata dhe në lehtësimin e jetës së qytetarëve. Ai solli si shembull rastet e divorceve pa konflikte financiare apo trashëgimtarë, të cilat sipas tij mund të zgjidhen edhe pranë noterit, pa kaluar në gjykatë.
Ministri theksoi rëndësinë e ndërmjetësimit, arbitrazhit dhe pajtimit, forma që duhet të sugjerohen më shumë edhe nga vetë gjykatat, si dhe përdorimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për depozitimin e dokumenteve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Sipas tij, Reforma në Drejtësi duhet të reflektohet realisht në shërbim më të shpejtë, më efikas dhe me më shumë llogaridhënie ndaj qytetarëve, në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.