Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Vasel Koçekun dhe Klaudio Lisajn, të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur më 20 shkurt në Guci të Re, Rrethina.
Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë së Shkodrës, e cila paraqiti prova të forta, përfshirë përgjime ambientale që mbeten sekret hetimor. Të dy akuzohen për “vrasje me paramendim në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, në kuadër të operacionit “Pesha e Krimit”.
Sipas hetimeve, ngjarja lidhet me një konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe familjes Koçeku. Dyshohet se Lisaj e ka nxjerrë Prekën nga banesa, ndërsa Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Të dy të arrestuarit i kanë mohuar akuzat.