Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta në disa zona të qytetit, përfshirë Kënetën, Shkozetin, Nish Tullën dhe lagje të tjera.
Sipas saj, rreth 800 banesa janë prekur nga prania e ujit, ndërsa 180 banorë janë evakuuar.
Sako theksoi se hidrovori po punon me kapacitet të plotë dhe funksionon normalisht, ndërsa OSHEE ka stakuar 37 kabina elektrike për arsye sigurie.
Ajo shtoi se situata nuk është ende jashtë rrezikut, pasi vetëm gjatë ditës së sotme në Durrës kanë rënë rreth 110 mm reshje.
Emiriana Sako: Kemi probleme në kënetë, Shkozet, Nish Tulla etj. Kemi 800 banesa me prani uji, janë evakuuar 180 banorë në dy qendra konvaleshence dhe aty do të marrin trajtimin e duhur. Kemi nën kujdes dhe monitorim lumin Erzen.
Hidrovori është në funksion të plotë dhe punon normalisht. 37 kabina elektrike janë stakuar nga OSHEE për arsye sigurie. Nuk jemi ende jashtë rrezikut. Në Durrës sot ka rënë një sasi prej 110 mm shi, sasi mjaft e madhe. Shkarkimet nga hidrocentralet po bëhen në mënyrë të kontrolluar.
Në Rradë dhe Spitallë kemi aktivizuar shkarkuesit katastrofikë në këta dy rezervuarë, pasi janë tejmbushur. Ka filluar evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve dhe të gjithë banorët do të dëmshpërblehen.
Zonat që përmbyten janë po të njëjtat: Durrësi i Ri, që ka nevojë për rrjet të ri kanalizimesh, si dhe disa rrugë të tjera. Po bëjmë projektet bashkë me ujësjellësin dhe do të kërkojmë financimin e nevojshëm.