Skandalet e Ballukut, a po bëni avokatinë e zv.kryeministres? Rama: S’jemi zyrë noterie! 16 mijë faqet? Do t’i kisha thënë prokurorëve të SPAK, çohuni dhe…

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit, u pyet edhe për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit, përmes të cilës kërkon heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, dhe dhënien e një mase më të rëndë sigurie ndaj saj, si ajo e arrestit në shtëpi apo në burg.

I pyetur gjithashtu nëse po bën avokatinë e zëvendës kryeministres së marrë të pandehur, Rama tha se “nuk keni dëgjuar asnjë fjalë të vetme avokatie për rastin konkret”.

Sipas kreut të qeverisë, Parlamenti dhe Këshilli i Mandateve dhe imunitetit nuk janë një “noter” që të aprovojnë direkt atë që kërkon Prokuroria e Posaçme, duke shtuar se duhet që t’i shqyrtojë së pari.

“Keni dëgjuar ndonjë fjalë të vetme avokatie për rastin konkret nga ana jonë? Nuk besoj. As unë dhe askush nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit. Por, ky rast ndryshon nga të tjerat se ka ardhur te ne. Nuk është një rast në rrugën e pushtetit gjyqësor, që si shumë raste të tjera, prokuroria e ndjek pa pasur nevojë të ndalojë në derën tonë. Kur rasti vjen në derën tonë, flas të pushtetit legjislativ, atëherë pushteti legjislativ duhet të shprehet. Nuk është noter i prokurorisë. Këshilli i mandateve nuk është zyrë noterie, por kuazi gjykatë. Parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë. I merr i sheh.”, u shpreh Rama.

Për 16 mijë faqet e dosjes që SPAK ka dërguar në Kuvend si pjesë e kërkesës për t’i hapur rrugën arrestimit të zëvendës kryeministres, Rama tha se po të ishte ai në këshill do t’iu thoshte Prokurorëve “çohuni, ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin e Shqipërisë”.

Sipas Ramës, 16 mijë faqet nuk janë vetëm prova, por përmbajnë “kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda.“

“Nuk doja ta përmendje 16 mijë faqe me prova se ajo më provokon. Po të isha unë në këshill, t’ju thosha atyre çohuni, ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin e Shqipërisë. Nuk mund të vini me 16 mijë faqe që i quani prova. E dini se ca janë 16 faqet aty? Nuk janë produkt i hetimit, se nuk ka se si të jenë. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda. “, shtoi ai.

Leave a comment