Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se bankat në Shqipëri po japin gjithnjë e më shumë kredi, sidomos për blerje apartamentesh dhe ndërtime, dhe kjo po krijon rrezik që tregu të “nxehët” më shumë seç duhet.
Sipas FMN-së, në vitet 2023 dhe 2024 kreditë janë rritur me ritme të larta. Pjesa më e madhe e këtyre kredive ka shkuar për pasuri të paluajtshme. Kjo ndihmon ekonominë për momentin, sepse ka më shumë ndërtim dhe qarkullim parash, por nëse vazhdon me këtë ritëm, mund të krijohen probleme më vonë.
FMN vëren se bankat aktualisht janë në gjendje të mirë financiare. Ato kanë fitime të larta dhe kapital të mjaftueshëm për të përballuar vështirësi të mundshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rreziqet nuk ekzistojnë.
Sipas FMN-së, Banka e Shqipërisë reagon vonë ndaj problemeve financiare, sepse pret që kriza të duket qartë, si për shembull kur shtohen kreditë e këqija ose bankat fillojnë të kenë humbje. Në këto raste, ndihma ose masat mbrojtëse vijnë me vonesë.
Për këtë arsye, FMN këshillon që Banka e Shqipërisë të veprojë më herët dhe të marrë masa parandaluese, para se problemet të bëhen serioze. Një nga këto masa është që bankat të mbajnë më shumë para rezervë për kohë të vështira.
Shqipëria ka nisur ta zbatojë këtë qasje në vitin 2025, duke vendosur që bankat të mbajnë një rezervë shtesë: 0.25 për qind nga qershori dhe 0.5 për qind nga dhjetori.
FMN thekson se rritja e shpejtë e kredive, e shtyrë kryesisht nga ndërtimi dhe turizmi, tregon se ekonomia po hyn në një fazë ku rreziqet po shtohen. Nëse situata nuk monitorohet me kujdes, kjo mund të sjellë pasoja për bankat dhe për qytetarët.
Sipas vlerësimeve të FMN-së, do të ishte më e sigurt që bankat të kenë një rezervë mbrojtëse edhe më të lartë, në mënyrë që sistemi financiar të jetë më i qëndrueshëm në rast goditjesh të brendshme apo të jashtme.joq