Thellohet konflikti në PD, Salianji ‘përjashtohet’ nga Kryesia; Noka e heq nga grupi në WhatsApp

Duhet kujtuar se Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe madje në mbledhjen e fundit pati shumë përplasje. Ky largim mund të nënkuptohet dhe si një sinjal se ai mund të jetë larguar edhe si anëtar i Kryesisë.

Mbledhja e Kryesisë e mbajtur më 13 dhjetor u shoqërua me tensione dhe debate. Konkretisht mësohet se ka pasur një përplasje mes ish-deputetit Ervin Salianji dhe Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, Flamur Noka.

Noka i ka thënë Salianjit: “me këtë që po bën ti je duke bashkëpunuar me ata që kemi përballë”.

Ndërsa Salianji i është drejtuar duke i thënë:”Jep dorëheqjen, Flamur, e ke shkatërruar partinë, dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”.

Ai e akuzoi Nokën për shkatërrimin e partisë, teksa tha se “sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrezuar Ramën, e paskeni me ne”.

Salianji ka kërkuar që analiza të bëhet brenda strukturave të partisë dhe “të mos dalë anash”.

Kujtojmë që Ervin Salianji ka ndërmarrë në javët e fundit një tur takimesh me ata simpatizantë dhe anëtarë të PD në të gjithë vendin, takime që kreu i partisë, Sali Berisha, i ka cilësuar si nisma personale dhe pa lidhje me partinë.

Leave a comment