“Mund ta godasim sërish sonte”, Trump kërcënon Iranin me sulme të reja, Irani bën reagimin e fortë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se administrata e tij mund të ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit, duke përmendur si objektiva të mundshëm infrastrukturën kritike civile të vendit.

Gjatë një takimi dypalësh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në margjinat e samitit të NATO-s, Trump deklaroi se një sulm i mundshëm mund të jetë i përmasave të mëdha.

“Mund të jetë një sulm i madh dhe do të nxjerrë jashtë funksionit shumë gjëra,” u shpreh ai.

Trump përmendi centralet elektrike si objektiva të mundshëm, duke shtuar: “Do t’i shkatërrojmë. Nuk dua ta bëj këtë, por nëse do të jetë e nevojshme, do t’i godasim.”

Ai përmendi gjithashtu impiantet e desalinizimit, të cilat janë jetike për furnizimin me ujë të pijshëm, duke theksuar se ato do të goditeshin vetëm nëse situata do ta kërkonte.

See also  E dhimbshme/ Ndërron jetë këngëtari i njohur, ja arsyeja e vdekjes së tij

Presidenti amerikan iu referua edhe ishullit Kharg, qendra kryesore e eksporteve të naftës së Iranit. Sipas tij, forcat amerikane kanë kryer një sulm ndaj ishullit gjatë natës së kaluar.

“Ne sulmuam Kharg Island mbrëmë dhe dëmtuam një pjesë të tij. U thashë ushtarakëve të mos preknin naftën, sepse ndoshta një ditë mund ta marrim nën kontroll ishullin Kharg. U thashë të mos godisnin tubacionet, por gjithçka tjetër. Ata e bënë këtë dhe mund ta godasin sërish edhe sonte,” deklaroi Trump.

Deklaratat e presidentit amerikan kanë ngjallur reagime të forta në Iran. Zyrtarë iranianë paralajmëruan se çdo sulm i ri do të përballet me një përgjigje të ashpër.

Zëdhënësi i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin iranian, Ebrahim Rezaei, shkroi në rrjetin social X: “Ejani, po ju presim dhe ju premtojmë se asnjë ushtar amerikan nuk do të kthehet i gjallë.”

Edhe ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Velayati, dënoi atë që e quajti “përshkallëzimin e fundit”, duke deklaruar se Irani “e ka paralajmëruar më parë se rajoni nuk është vend për lojëra politike” dhe se vendi “mbetet me gishtin në këmbëz, i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo agresioni.”

Deklaratat e fundit vijnë në një klimë të tensionuar mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të bëjë thirrje për përmbajtje dhe shmangie të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.

Leave a comment