Ish-anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi në një emision televiziv se një ministër është parë duke pirë kafe në mënyrë të fshehtë me disa të huaj. Sipas tij, takimi ka ndodhur pak para nisjes së mbledhjes së grupit parlamentar të PS.
Malaj u shpreh se ky takim mund të jetë një mënyrë për të përcjellë mesazhe politike. Ai shtoi se një kompromis i mundshëm mund të ishte masa e arrestit të shtëpisë, duke theksuar se personi në fjalë duhet të përballet me sfidën për të provuar pafajësinë.
Megjithatë, ish-ministri socialist nuk pranoi të përmendë emrin e ministrit. Ai theksoi se ka bërë një kompromis me vetveten për të mos u marrë me emra konkretë.