Bisedime kritike SHBA–Iran në Gjenevë, në “planin B” edhe sulme të reja ndaj Teheranit

Një raund i ri bisedimesh mes SHBA-së dhe Iranit nis të martën (17/2) në Gjenevë, në një klimë tensionesh dhe paralajmërimesh për sulme të mundshme të reja ndaj Teheranit. Qëllimi i negociatave është ulja e tensioneve dhe shmangia e një përplasjeje ushtarake që mund të përshkallëzohet në konflikt rajonal.

Megjithatë, pritshmëritë mbeten të ulëta. SHBA-ja dhe Israel kërkojnë që Irani të kufizojë programin e tij të raketave balistike. Nga ana tjetër, Teherani është shprehur i gatshëm të diskutojë kufizime në aspekte të programit bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, por thekson se programi balistik është çështje e mbrojtjes kombëtare dhe nuk negociohet.

Sipas raportimeve të CBS News, presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë “dritë jeshile” Izraelit për sulme ndaj Teheranit nëse negociatat dështojnë. Çështja është diskutuar edhe gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Raundi i parë i dialogut u zhvillua në fillim të shkurtit në Oman, mes kërcënimeve për ndërhyrje ushtarake amerikane dhe shtimit të pranisë ushtarake në Gjirin Persik.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka mbërritur në Gjenevë për raundin e dytë të bisedimeve. “Jam në Gjenevë me ide reale për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të barabartë. Ajo që nuk është në tryezë është dorëzimi përpara kërcënimeve”, shkroi ai në rrjetin X.

Araghchi u takua gjithashtu me kreun e International Atomic Energy Agency, Rafael Grossi, për diskutime teknike mbi programin bërthamor.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi gjatë një vizite në Hungari se arritja e një marrëveshjeje me Teheranin do të jetë e vështirë, por theksoi se ekziston një mundësi për zgjidhje diplomatike.

Në sfond të bisedimeve, SHBA-ja po forcon praninë ushtarake në rajon, ndërsa Garda Revolucionare e Iranit ka nisur stërvitje ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më strategjike detare në botë.BoldNews

Leave a comment