Dua Lipa i ka bërë një dedikim të veçantë të fejuarit të saj, aktorit Callum Turner, me rastin e ditëlindjes së tij të 36-të.
Këngëtarja shqiptare ka publikuar në rrjetet sociale disa foto krah tij nga momentet e tyre më të veçanta.
“Gëzuar ditëlindjen atij që është përherë dhe përgjithmonë i imi”, ka shkruar Dua krahas fotove.
Pak më vonë, Dua Lipa bëri një tjetër postim në profilin e saj me partnerin, duke zbuluar se si e kaluan Ditën e Shën Valentinit, të shtunën, më 14 shkurt, në Berlin.
Çifti u shfaq së bashku në tapetin e kuq të “Berlin International Film Festival 2026”, në premierën e filmit Rosebush Pruning, ku Turner ka një nga rolet kryesore.
Dhe po, si gjithmonë pamja e saj ishte një nga ato që nuk kalon pa u vënë re. Për mbrëmjen, ajo zgjodhi një fustan të zi transparent me dantella nga Chanel me qëndisje dhe një vijë të ngushtë që i përshtatej trupit.
Fustani kishte detaje më të përforcuara në gjoks dhe në fund, duke krijuar një lojë interesante teksturash.
Ajo e kombinoi me taka të zeza, një varëse me diamante dhe vathë tërheqës. Flokët i kishte të mbledhura prapa, ndërsa grimi i saj ishte me tone të ndritshme dhe të freskëta, me lëkurë të shkëlqyeshme dhe buzë nudo.
Sigurisht, ishte edhe unaza mbresëlënëse prej ari të verdhë dhe diamanti që e plotësonte pamjen. Paraqitja e tyre tërhoqi vëmendje të madhe, sidomos pas konfirmimit të fejesës në qershor 2025.
Në një intervistë, këngëtarja u shpreh se vendimi për të ndërtuar një jetë së bashku dhe për të qenë “miqtë më të mirë përgjithmonë” është një ndjenjë shumë e veçantë për të.
Thashethemet për fejesën kishin nisur që në fund të vitit 2024, kur ajo u pa me një unazë në gishtin e fejesës, të cilën më vonë e përmendi edhe vetë, duke thënë se simbolizon sa mirë e njeh partneri i saj.
Edhe pse lidhja e tyre u bë publike në fillim të vitit 2024, çifti ende nuk ka bërë të ditur një datë zyrtare për martesën, por Dua është shprehur se të dy ata dëshirojnë të bëjnë një dasmë.










