Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të shpallë sot në orën 12:00 vendimin nëse dosja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, do të kalojë ose jo për gjykim. Vendimi vjen pas seancës paraprake të 2 shkurtit, ku gjyqtarja Etleva Deda mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe caktoi datën e sotme për shpalljen e tij.
Seanca paraprake u shoqërua me debate, pasi Veliaj dhe avokatja e tij Valentina Teodoresku kërkuan shtyrje të procesit, duke argumentuar se nuk ishin njohur ende me të gjithë dosjen hetimore. Kërkesa u rrëzua nga gjykata, ndërsa Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares, duke pretenduar shkelje të së drejtës për mbrojtje, dhe më pas u largua nga seanca. Kërkesa për përjashtim u rrëzua të premten dhe gjyqtarja Deda do të jetë ajo që do të shpallë vendimin.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa për gjykim janë dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera. SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre. Në dosje përfshihen edhe akuza ndaj biznesmenëve për korrupsion aktiv, ish-deputetes Klotilda Bushka për pengim të drejtësisë dhe ndaj Fatjon Baci, i cili dyshohet se i ka dhënë telefon Veliajt gjatë transferimit nga burgu në gjykatë.