Bashkia e Rrogozhinë do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin me burg për kryebashkiakun socialist Edison Memolla. Ai u shpall fajtor për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të kryer në bashkëpunim, ndërsa dënimi me 1 vit burg mori formë të prerë.
Apeli konfirmoi vendimin e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe urdhëroi arrestimin e Memollës nga Policia e Shtetit. Kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm në seancë, duke u përfaqësuar nga avokati i tij. Me hyrjen në fuqi të vendimit, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë vakancën dhe më pas Presidenti i Republikës të dekretojë datën e zgjedhjeve të reja.
Çështja penale u regjistrua pas publikimit të një regjistrimi audio, ku Memolla, atëkohë kandidat, ndërhynte tek elektriçisti Blerim Xhamani për të mos i ndërprerë energjinë një abonenti debitor, në këmbim të votës në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022. SPAK provoi gjithashtu se kishte komunikime për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, si pjesë e skemës për sigurimin e votave.