Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas pretencës së Prokuroria Speciale, e cila ka kërkuar dënime deri në 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Përmes një reagimi në Facebook, Osmani theksoi se pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit dhe fryt i një sakrifice shekullore.
Ajo nënvizoi se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës, duke kujtuar masakrat, dëbimet masive, shkatërrimin e pronës dhe dhunën sistematike gjatë luftës së fundit. Sipas Osmanit, qëllimi i Serbisë ishte shfarosja e popullit shqiptar dhe këto fakte historike nuk mund të relativizohen apo të harrohen.
Presidentja e Kosovës paralajmëroi se çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të Ushtria Çlirimtare e Kosovës me krimet e agresorit serb minon besimin në drejtësi dhe dëmton paqen afatgjatë. Ajo theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër dhe se historia nuk mund të rishkruhet për të njollosur betejën për liri të popullit të Kosovës.Ndërkohë, vëmendje ka tërhequr fakti se kryeministri Albin Kurti nuk ka reaguar ende publikisht lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale, një heshtje që po komentohet gjerësisht në opinionin publik dhe politik në Kosovë.