Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për qytetarët amerikanë në lidhje me protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike, e cila do të zhvillohet të martën, më 10 shkurt, në orën 17:00. Sipas njoftimit, demonstruesit pritet të mblidhen përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ambasada bën me dije se protesta do të shtrihet në zonën midis Sheshi Skënderbej dhe Sheshi Nënë Tereza, ku autoritetet shqiptare kanë paralajmëruar prani të shtuar të policisë, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit. Kryqëzimet kryesore në qendër të Tiranës mund të mbeten të bllokuara për shkak të protestuesve dhe masave të sigurisë.
Në paralajmërim theksohet se, edhe pse tubimet zakonisht nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt dhe protesta mund të shtrihet drejt blloqeve dhe ndërtesave qeveritare përreth. Ambasada u rekomandon qytetarëve amerikanë të shmangin zonën e protestës, të monitorojnë mediat lokale, të kufizojnë shpërqendrimet si telefonat apo kufjet dhe të kenë një plan emergjence për një dalje të sigurt nga zona.