Para Dhomave të Specializuara në Hagë do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga data 9 shkurt (sot) deri më 13 shkurt, si edhe më 16 shkurt dhe 18 shkurt.
Gjykata speciale ka njoftuar se se ancat janë parashikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30. Gjatë ditës së sotme (9 shkurt) do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt, së bashku me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.
Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Krime këto të cilat pretendohet se janë kryer midis muajit mars 1998 dhe deri në shtator të vitit pasues në disa vende të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Ata janë deklaruar të pafajshëm sa u përket akuzave.
Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020, dhe në 5 nëntor të po atij viti të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.Por gjykatësit e Hagës kanë ,undësinë të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për dy muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.