Seanca në Apelin e GJKKO për të akuzuarit e dosjes së AKSHI-t është shtyrë për në 5 shkurt, ora 15:00, pas një shqyrtimi që zgjati disa orë. Gjatë seancës, palët kërkuan zëvendësimin e masave të sigurisë, por gjykata nuk mori vendim. Të pranishëm ishin edhe prokurorët e SPAK Altin Dumani dhe Bledar Maksuti. Vendimmarrja pritet në seancën e radhës.
Në seancë u administruan prova të reja, mes tyre deklarimet e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima. Ai ka pohuar se të gjitha veprimet dhe vendimet e tij janë kryer nën urdhrat e drejtoreshës së pezulluar, Mirlinda Karçanaj. Sipas Shimas, AKSHI dirigjohej prej saj, ndërsa ai mohoi përgjegjësi personale penale. Deklarime janë dhënë edhe për biznesmenë aktualisht në kërkim.
Një nga provat e reja lidhet me një automjet të blerë fillimisht për 38,700 euro, i cili përmes disa kontratave ka përfunduar te bashkëshorti i Karçanajt për 9,000 euro. Kompanitë e përfshira lidhen me biznesmenin Ermal Beqiri. Më 5 shkurt, gjykata do të vendosë për masat e sigurisë, ndërsa SPAK kërkon që ato të mbeten në fuqi për shkak të rrezikut për hetimin.