Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjermaninë, ku një vajzë 18-vjeçare humbi jetën pasi u shty në shinat e metrosë në stacionin Wandsbek Markt në Hamburg. Incidenti ndodhi të enjten rreth orës 22:00, kur viktima, Fatemeh D., u sulmua në mënyrë të papritur nga një burrë 25-vjeçar. Autoritetet gjermane konfirmuan se sulmi ishte i rastësishëm dhe se mes viktimës dhe autorit nuk kishte asnjë lidhje të mëparshme. Si pasojë e përplasjes me trenin, edhe autori humbi jetën.
Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët dhe komuniteti. Nëna e vajzës ka reaguar me postime prekëse në rrjetet sociale, duke ndarë foto dhe video të së bijës, të shoqëruara me mesazhe emocionale. “Bija ime është një engjëll”, shkruan ajo në një prej postimeve, ndërsa në një tjetër shpreh mallin dhe dhimbjen për humbjen tragjike. Homazhet online kanë vazhduar edhe nga miq e të njohur, duke e kujtuar Fatemeh si një vajzë të re dhe plot jetë.
Sipas mediave gjermane, autori i dyshuar ishte emigrant sudanez me një histori problematike dhe kishte qenë më herët në vëmendjen e policisë. Ai ishte arrestuar vetëm disa ditë para ngjarjes për sulm ndaj oficerëve të rendit, por ishte liruar. Autoritetet bëjnë të ditur se ai kishte hyrë në Gjermani në mesin e vitit 2024 përmes një programi humanitar dhe jetonte në një qendër akomodimi në Hamburg. Dëshmitarët thanë se pak minuta para sulmit ai shfaqte sjellje të çrregullta dhe kërcënuese.