Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Në përfundim të seancës avokati tha se Veliaj foli dhe nuk doli përtej kërkesave ligjore qe janë parashtruar.
Sipas tij SPAK mbajti të njëjtin qëndrim, që duhet të qëndrojë me masën arrest ne burg, pasi mund të manipulohen provat, por ai theksoi se këto janë “iluzione të Prokurorisë”.
“Kemi kërkuar të caktohet një masë më e butë, jo arrest me burg, të cilën gjykata e ka rrëzuar. Veliaj ishte i pranishëm dhe ka deklaruar të njëjtat gjëra që janë parashtruar në kërkesë. Nuk ka dalë përtej kërkesave ligjore. Por gjykata rrëzoi kërkesat. Prokuroria mbajti qëndrimin që masa duhet të vazhdojë. Pavarësisht se kanë mbaruar hetimet, provat mund të manipulohen. Kjo ishte logjika e Prokurorisë, por që ne nuk jemi dakord me këtë logjikë”, tha avokati i Veliajt për seancën e sotme Sokrat Gjermeni.
Po ashtu sipas avokatit është ofruar edhe garancia pasurore, apo edhe paraqitja 5 herë në javë, por sërish janë rrëzuar kërkesat.
“U kërkua garancia pasurore, u kërkuan disa masa, detyrim paraqitje 5 herë në javë, garancia pasurore, ndalimi jashtë shteti. Pra të gjitha masat që janë të përshtatshme për të mbarëvajtur hetimet, megjithëse këto rreziqe janë iluzionare. Nuk e ofruam me shumë të përcaktuar, e lamë në vlerësim të gjykatës, por duke qenë se u rrëzua kërkesa, nuk u shqyrtua ky opsion”, tha avokati