E reja e plagosur në një hotel në Sauk, arrestohet i dashuri 22-vjeçar

Policia e Tiranës ka arrestuar të dashurin 22-vjeçar të vajzës së re që u plagos me armë zjarri në një hotel në kryeqytet.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin E. Gj., 22 vjeç, i shpallur në kërkim ditën e djeshme për veprat penale ‘Moskallëzim i krimit’, ‘Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës’, kryer në bashkëpunim, dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, bëjnë me dije uniformat blu.

Rreth orës 00:15 të së shtunës, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në zonën e Saukut. Ende nuk është e qartë nëse e reja është vetë-plagosur apo nëse e ka plagosur dikush tjetër.

Një ditë më parë, gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raportoi se në dëshminë e saj, e reja ka pranuar se është vetëqëlluar duke thënë:

“Kam bërë gabime në jetë, desha të vras veten!”

Vajza ka treguar se qenë vetëm në dhomë të gjumit kur ka marrë armën dhe ka qëlluar veten. S.Gj dhe E.Gj kanë qenë jashtë dhe kanë dëgjuar të shtënat.

Kur kanë hyrë të dhoma kanë parë vajzën të vetëplagosur dhe kanë thirrur edhe dy personat e tjerë që posedonin biznesin. Kanë vendosur të fshehin armën, kanë larë gjakun ndërsa V.Gj., dhe M.Gj., janë nisur me makinë për ta dërguar në spital.

Ata janë porositur të deklarojnë që “vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”. Pas hetimit, rezultoi se vajza në fakt ishte vetëplagosur në hotelin e tyre.

Leave a comment