Tiranë – Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në një hotel në pronësi të familjes Gjuta, ku një vajzë 18-vjeçare mbeti e plagosur nga arma e zjarrit. Pas hetimeve intensive, Policia e Tiranës ka arrestuar 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, i cili rezulton të jetë nipi i Vladimir Gjuta.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të hotelit të familjes, ku 18-vjeçarja, e cila ishte në një lidhje sentimentale me Erisjaldo Gjutën, ka mbetur e plagosur me armë zjarri. Nga të dhënat paraprake të hetimit, dyshohet se vajza është vetëplagosur me pistoletën që dyshohet se i përkiste 22-vjeçarit, në një moment kur ndodhej e vetme në dhomë.
Pavarësisht kontrolleve të kryera, arma e zjarrit nuk është gjetur ende, fakt që ka ngritur dyshime serioze mbi tentativën për të fshehur ose larguar provat nga vendngjarja. Vetë Erisjaldo Gjuta, gjatë deklarimeve të dhëna përpara hetuesve, ka mohuar të ketë dijeni mbi vendndodhjen e pistoletës, duke pretenduar se nuk e di se ku ndodhet arma.
I riu është arrestuar dhe ndaj tij janë ngritur akuza për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. Sipas dosjes hetimore, dyshohet se pas ngjarjes janë kryer veprime të qëllimshme për të deformuar rrethanat reale dhe për të shmangur përgjegjësinë penale.
Në dëshminë e tij, Erisjaldo Gjuta ka deklaruar se në momentin kur ka ndodhur e shtëna, ai ndodhej jashtë hotelit së bashku me të atin. Ai ka pohuar se pasi kanë dëgjuar zhurmën e armës, janë ngjitur me vrap drejt dhomës ku ndodhej vajza dhe e kanë gjetur të plagosur. Fillimisht, sipas tij, kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por pasi kanë kuptuar se gjendja ishte serioze, kanë vendosur ta transportojnë menjëherë drejt spitalit për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj anëtarëve të tjerë të familjes. Një ditë më parë, policia arrestoi nënën dhe xhaxhain e 22-vjeçarit, Mirvete Gjuta dhe Vladimir Gjuta, të dy të dyshuar për moskallëzim të krimit dhe për prishje të provave në vendngjarje. Po ashtu, në kërkim policor janë shpallur babai dhe kushëriri i Erisjaldo Gjutës, Saimir Gjuta dhe Elvir Gjuta.
Sipas burimeve hetimore, familjarët dyshohet se janë porositur të deklarojnë një version të rremë të ngjarjes, duke pretenduar se vajzën e kanë gjetur të shtrirë në zonën e njohur si rrethi i Ekonomikut, çka bie ndesh me provat e mbledhura nga policia dhe dëshmitë e deritanishme.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të 18-vjeçares, burime nga spitali bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në deklaratën e saj paraprake përpara autoriteteve, vajza ka pohuar se ka tentuar të dëmtojë veten, duke përmendur vështirësi personale dhe emocionale, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.