Në emisionin Breaking në Top News, analistët Albatros Rexhaj dhe Shemsi Prençi ishin të ftuar për të diskutuar zhvillimet më të fundit politike, konkretisht dosjen e njohur si “Balluku”. Debati në studio u tensionua shpejt, duke kaluar nga analiza politike në përplasje të drejtpërdrejtë verbale mes dy të ftuarve.
Gjatë diskutimit, Prençi u shpreh se nëse provat që lidhen me Belinda Balluku do të bëheshin publike, sipas tij, të gjithë shqiptarëve do t’u vinte turp që kanë pasur një zv.kryeministre si ajo. Ai shtoi se Balluku, në këndvështrimin e tij, nuk mund të mbrohet dhe se pritet të përballet me akuza serioze, përfshirë pastrimin e produkteve të veprës penale.
Nga ana tjetër, Rexhaj kundërshtoi këtë qasje, duke theksuar se nuk mund të bëhet gjyq publik pa vendim të drejtësisë dhe se as analistët, as politika nuk kanë kompetencë të gjykojnë raste të tilla. Debati u ashpërsua më tej kur Prençi e akuzoi Rexhajn se po vepronte si “avokat i Ballukut”, duke e quajtur madje “avokat të paaftë”, çka e ktheu diskutimin në një përplasje personale dhe të tensionuar në studio.