“U rrëmbye nga persona të armatosur”, opozitari venezuelian zhduket pas lirimit nga burgu

Një nga figurat kryesore të opozitës venezueliane, Juan Pablo Guanipa është rrëmbyer nga disa persona të armatosur vetëm disa orë pasi u lirua nga burgu, sipas njoftimit të dhënë nga familjarët dhe aleatët e tij politikë, të cilët akuzuan drejtëpërdrejt regjimin në Karakas.

Guanipa, kreu i partisë konservatore opozitare Primero Justicia, ishte mes disa të burgosurve politikë të profilit të lartë të liruar të dielën, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për të përmbushur kërkesat e SHBA-së për lirimin e të ndaluarve për arsye politike. Megjithatë, sipas opozitës, ai u rrëmbye më vonë në lagjen Los Chorros të Karakasit nga një grup burrash të armatosur, të veshur civilë.

María Corina Machado, udhëheqësja e opozitës venezueliane, deklaroi se rrëmbimi u krye nga burra që mbërritën me katër automjete dhe “e morën me forcë”.

Sipas djalit të Guanipas, Ramón babai i tij u zu në pritë rreth orës 23:45 nga rreth 10 persona pa dokumente identifikimi. “Ata ishin të armatosur rëndë dhe e morën babanë tim. Kërkojmë prova se ai është gjallë,” tha ai.

Partia Primero Justicia akuzoi autoritetet venezueliane se qëndrojnë pas rrëmbimit dhe paralajmëroi se do t’i mbajë përgjegjës presidenten në detyrë Delcy Rodríguez, kryetarin e Asamblesë Kombëtare Jorge Rodríguez dhe ministrin e Brendshëm Diosdado Cabello për çdo dëmtim ndaj jetës së Guanipas.

Ai ishte liruar pas më shumë se 8 muajsh burg, pasi u arrestua në maj 2025, pasi ministri i Brendshëm Diosdado Cabello e akuzoi, pa paraqitur prova, për përfshirje në një komplot të dyshuar “terrorist” kundër zgjedhjeve rajonale dhe legjislative, akuza të cilat opozitari i ka mohuar vazhdimisht.

Leave a comment