Edi Rama pritet të udhëtojë drejt Uashington për të marrë pjesë më 19 shkurt në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes për Gazën, një nismë e thirrur nga presidenti amerikan Donald Trump. Kjo do të jetë mbledhja e parë e këtij Bordi nën drejtimin e Trump dhe për Shqipërinë pritet të formalizohet marrëveshja e munguar për anëtarësim, e cila nuk u firmos më herët në Davos. Udhëtimi është paralajmëruar nga Rama në Kuvend, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Kryeministria.
Pjesëmarrja e Ramës në këtë forum vjen pas një periudhe njëvjeçare pa asnjë takim të nivelit të lartë me administratën amerikane, që prej ardhjes në pushtet të Trump. Kjo e ka vendosur Tiranën në një pozicion të ftohtë diplomatik dhe mbledhja e Bordit të Paqes shihet si një mundësi për të rifituar vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë. Në këtë kontekst, udhëtimi pritet të përdoret edhe si kapital politik, si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe në politikën e brendshme.
Vetë Bordi i Paqes për Gazën ka lindur mes polemikash dhe mungese mbështetjeje të gjerë ndërkombëtare. Disa vende kyçe të Bashkimit Evropian, përfshirë Italinë, Francën dhe Greqinë, kanë refuzuar t’i bashkohen nismës, duke e lënë strukturën jashtë mekanizmave tradicionalë të diplomacisë dhe pa rol të qartë të Kombeve të Bashkuara. Mbetet për t’u parë nëse takimi i 19 shkurtit do të ketë ndikim real në zhvillimet në Gaza apo do të shërbejë kryesisht si një platformë politike për liderë që kërkojnë të forcojnë pozicionet e tyre.