Policia e Tiranës ka arrestuar një 27-vjeçar nga Kosova, i akuzuar për trafikim armësh drejt Shqipërisë.
Në pranga ka rënë Dukagjin Berisha, i cili dyshohet se po transportonte armët me qëllim shitjen e tyre në zonën e Freskut, në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, efektivët e Komisariatit nr.4 lokalizuan dhe ndaluan automjetin tip “Volkswagen” në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës.
Gjatë kontrollit, u gjetën të fshehura në kofano 12 pistoleta të tipit “Glock” së bashku me municion luftarak.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Barriera”, duke arrestuar një shtetas dhe sekuestruar 12 armë zjarri pistoleta me municion luftarak, në një tjetër rast të trafikimit të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë D. B., 27 vjeç, banues në Kosovë, gjatë një kontrolli në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës”, thuhet në njoftimin zyrtar.