Gjykata Kushtetuese mori pas gati 11 orësh mbledhjeje në Dhomën e Këshillimit, një vendim me votim të ndarë 4 me 4 në mënyrë të barabartë, për kërkesën e kryeministrit Edi Rama, në lidhje me pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku nga detyra.
Gazetarja Klodiana Lala shpjegoi se ky rezultat i votimit lë në fuqi vendimin e GJKKO-së dhe kërkesës së SPAK për pezullimin e Ballukut. Kjo, sepse sipas ligjit, në këtë rast duhej që vendimmarrja në rastin e kërkesës së ankimuesit, në këtë rast Kryeministrit Rama, duhet të kishte siguruar patjetër 5 vota, pra votim 5 me 3.
Në rastin e votimit të barabartë, mbetet në fuqi vendimi i palës tjetër, në këtë rast të SPAK dhe GJKKO. Pra që vendimi të jetë në favor të palës ankimuese, duhen 5 vota dhe në këtë rrjedhojë ankimimi i Ramës rrëzohet.
“Pas më shumë se 10 orësh Kushtetuesja del me vendim për kërkesën e kryeministrit Rama për shpalljen antikushtetues të vendimit të GJKKO për pezullimin e Ballukut. Në vendimin e shpallur nga Papajorgji, kryetarja e GJK, rezulton se kërkesa se kërkesa nuk ka marrë kuorumin e nevojshëm dhe janë ndarë 4 me 4. Dhe duke qenë se duhet të ishte vendim në favor të ankimuesit duhet të ishte me 5 vota, për rrjedhojë kërkesa e kryeministrit është rrëzuar. Në këtë mënyrë Balluku mbetet e pezulluar nga detyra e ministres dhe zv/kryeministres”, tha gazetarja në lidhjen e saj direkte pas shpalljes së vendimit.
Lala shpjegoi gjithashtu se 4 nga gjyqtarët në vendimin e tyre kanë argumentuar se SPAK dhe GJKKO duhet t’i ishin drejtuar Kuvendit për pezullimin e anëtarit të kabinetit qeveritar, pasi ka imunitet si i zgjedhur.
Kurse katër gjyqtarët e tjerë e kanë vlerësuar të ligjshëm vendimin e GJKKO-së, duke argumentuar se masa e pezullimit nuk prek imunitetin e Ballukut apo mandatin e saj të deputetes, por vetëm funksionin si ministre dhe zv/kryeministre.
“Nuk jepen emrat e gjyqtarëve për mënyrën e votimit. Qëllim kryesor është mbrojtja e Kuvendit. Neni 103, pika 3 e Kushtetutës, synon mbrojtjen e organit ekzekutiv. 4 nga gjyqtarët morën vendimin se SPAK duhet t’i drejtohej Kuvendit se kishte ndërhyrje te pushtetet e tjera. 4 të tjerët morën vendimin që SPAK dhe GJKKO kishte të drejtë për pezullimin nga detyra, pasi nuk preket mandati”, tha Lala.