Disa lëkundje sizmike u regjistruan mbrëmjen e 4 shkurtit në qytetin e Korçës, ku më e forta kishte magnitudë 4.1 të shkallës Rihter. Sipas sizmiologut Rrapo Ormëni, zona e juglindjes është e njohur për aktivitetin sizmik dhe historikisht aty kanë ndodhur tërmete të forta, si ai i vitit 1960 me magnitudë 6 dhe ai i 1987-ës me magnitudë 5.2.
Ormëni theksoi se Korça përballet jo vetëm me tërmete të forta, por edhe me grumbuj tërmetesh të përsëritura, të cilat zakonisht nuk shkaktojnë dëme. Ai sqaroi se zonat sizmike kanë periudha të gjata përsëritjeje të tërmeteve të forta. Sipas tij, duhet të kuptohet që aktiviteti sizmik në këtë rajon është një fenomen i zakonshëm dhe pjesë e strukturës tektonike të tokës.
Kur u pyet nëse thatësira mund të ndikojë tek tërmetet, Ormëni nënvizoi se kjo nuk ndikon. Ai sqaroi se tërmetet janë proces i brendshëm i tokës dhe ndodhin brenda linjave tektonike të zonës. “Thatësira nuk ka lidhje me tërmetet, këto janë procese të brendshme që ndodhin brenda këtyre linjave tektonike,” përfundoi ai.