Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, deklaroi para nisjes së protestës së së shtunës se vendi ka nevojë për një bashkim të madh opozitar, përtej kryetarëve dhe flamujve të partive politike. Ai kërkoi reformim total të sistemit elektoral, duke e cilësuar atë si mekanizëm që i ka dhënë pushtet në tavolinë Edi Rama, dhe bëri thirrje për një Kod të ri Zgjedhor që garanton barazinë e votës në të gjithë vendin.
Lapaj theksoi se bashkimi duhet të jetë qytetar, i përbërë nga demokratë, lëvizje politike dhe shoqëria civile, pa përfaqësim nga kryetarët e partive. Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për marrëveshje politike apo zgjedhore dhe se nuk ka asnjë marrëveshje me Sali Berisha, por për një front qytetar kundër qeverisë aktuale.
Sipas Lapajt, nevoja për ndryshim është imediate, pasi sipas tij vendi po dëmtohet sot dhe përgjigjja duhet të vijë sot përmes një presioni të gjerë popullor. Ai e lidhi situatën aktuale me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe bëri thirrje që opozita të distancohet nga Rama dhe të pozicionohet qartë në krah të demokratizimit të vendit.