Një skandal i rëndë ka shpërthyer në Mbretërinë e Bashkuar, ku një oficer emigracioni rezulton se ka qenë vetë emigrant i paligjshëm dhe tani përballet me akuza të rënda penale. Sipas mediave britanike, bëhet fjalë për 36-vjeçarin Besmir Matera, i cili akuzohet për komplot për vjedhje ndaj emigrantëve që mbërrinin me anije të vogla përmes Kanalit të La Manshit.Prokuroria britanike bën me dije se Matera, së bashku me katër oficerë të tjerë të emigracionit, dyshohet se gjatë viteve 2021–2022 kanë marrë para nga emigrantët që mbërrinin në Dover pas shpëtimit nga gomone. Paratë, sipas akuzës, janë marrë nga sendet personale të emigrantëve dhe më pas janë ndarë mes oficerëve të përfshirë.
Përveç akuzave për vjedhje, Besmir Matera përballet edhe me akuza shtesë për hyrje të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 2003–2004, përdorim të identitetit të rremë në një aplikim për azil dhe posedim dokumentesh false, përfshirë pasaporta dhe patentë drejtimi, në periudha të ndryshme nga 2011 deri në 2022. Sipas dosjes, ai ka hyrë në Britani në moshën 14-vjeçare përmes një udhëtimi shkollor dhe më pas është raportuar i zhdukur në Brighton, duke u paraqitur autoriteteve si shtetas nga Kosova.
Prokurorja Rosalind Earis deklaroi në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster se të pandehurit ishin pjesë e një ekipi të posaçëm të emigracionit që merrej me emigrantët e ardhur me anije të vogla dhe se vepronin në bashkëpunim për të përvetësuar shuma të konsiderueshme parash. Në total, gjashtë oficerë janë akuzuar dhe janë pezulluar nga detyra, ndërsa janë liruar me kusht dhe pritet të paraqiten më 26 shkurt në Gjykatën e Kurorës në Southwark për seancën përgatitore të gjykimit.