Pylli i Fazanëve në Maliq po konsolidohet si një nga destinacionet më tërheqëse për turizëm gjithëstinor në juglindje të vendit. Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ky atraksion natyror, duke e cilësuar si një prej perlave të zonës që ndërthur ekosistemin e pasur me mundësi të shkëlqyera për ekoturizëm.
Me një sipërfaqe prej rreth 50 hektarësh dhe i shpallur monument natyror, pylli ndodhet vetëm 10 kilometra nga Korçë. Peizazhi i tij i larmishëm ofron përvoja unike për ecje në natyrë, relaks dhe shkëputje nga rutina urbane, duke e bërë të vizitueshëm gjatë gjithë vitit.
Përveç fazanëve – simboli i këtij monumenti – zona strehon edhe specie të tjera faunore, ndërsa flora përfshin plepa, shelgje, blire, pisha dhe bredha. I rijetësuar nga dora e njeriut, Pylli i Fazanëve është shndërruar në një pikë takimi për aktivitete familjare e shoqërore dhe një magnet për turistë vendas e të huaj që kërkojnë natyrë, qetësi dhe aventura të buta ekologjike.