Policia e Shtetit kreu një operacion special sot që pa gdhirë në Tiranë, duke kapur në mes të rrugës disa persona me të kaluar kriminale të cilët u gjetën duke shitur armë zjarri.
Një prej të arrestuarve është Ilir Zyberi i cili më parë njihej si Ilir Avdillari.
E kaluara e burrit sot 55 vjeç është e errët pasi ai është dënuar për një vrasje të ndodhur më 1998.
Bëhet fjalë për ekzekutimin me armë zjarri të biznesmenit italian Stefano Rossi, raporton noa.al.
Vrasja u krye më 27 janar të vitit 1998, në momentin kur Rossi kishte tërhequr 30 milionë lireta nga banka dhe u ekzekutua vetëm 100 metra larg fabrikës së tij.
Ilir Avdillari Zyberi ishte i njohur si një ndër anëtarët e bandës së Yzberishtit në vitet ’97-’98.
Ai ka qenë i dyshuar për rreth 20 vepra të ndryshme penale. Gjykata e dënoi atë me 22 vjet burgim.
Në vitin 2017, kur Zyberi kishte dalë nga burgu, u bë sërish objekt i policisë. Më 12 shkurt 2017, një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Qelqi” zbuloi lëndë narkotike dhe armë, duke vënë në pranga pesë persona.
Mes të arrestuarve ishte Ilir Zyberi (Avdillari), atëherë vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohej se kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar të llojit kanabis sativa drejt personave të ndryshëm në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit.
Për ta kishte informacione policore se posedonin një sasi të konsiderueshme me lënde narkotike të llojit kanabis sativa dhe këtë sasi e mbanin të fshehur në banesën e Ilir Zyberit, ku më pas sipas hetimeve do të bënin dhe shitjen e saj.