Pazaret e drogës, konfliktet e ashpra për territor dhe përplasjet mes grupeve kriminale dyshohet se janë motivi kryesor i vrasjes së rëndë të ndodhur në burgun e Koridhalosit në Greqi, ku u ekzekutua me thikë të improvizuar shqiptari Jani Aliaj, 49 vjeç, i dënuar me burg përjetë.
Autoritetet greke nuk përjashtojnë edhe hakmarrjen si pistë hetimi, për shkak të aktivitetit të gjerë kriminal të Aliajt, i cili njihej edhe me pseudonimin “Xheku” dhe përdorte dy identitete. Dyshimet janë përforcuar pas rikthimit të tij në burg në vitin 2024, pas një periudhe jashtë qelisë.
Sipas mediave greke, ekziston mundësia që ndaj Aliajt të ketë pasur një “kontratë vdekjeje”, ndërsa autori 28-vjeçar grek dyshohet se ka vepruar me porosi nga një shqiptar jashtë burgut. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht zinxhirin e përfshirë në krim.