Detaje të tjera mësohen lidhur me operacionin e SPAK të kryer në bashkëpunim me autoritetet italiane, të cilët goditën një grup që mashtronin qytetarët e BE-së përmes Call Centerave dhe u zhvatën miliona euro.
Mesohet se janë arrestuar 10 persona, ndërsa janë shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme 3 vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro” me objekt Call Center, Telemarketing.

Burimet bëjnë me dije se gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova materiale, ndërsa hetimet vazhdojnë edhe sot me marrjen në pyetje të personave të lidhur me çështjen. Kujtojmë që më herët u raportua se mes 10 personave të arrestuar është edhe një shtetas italian.
OPERACIONI
Aksioni nisi mbrëmjen e së premtes ( 16 janar) dhe përfshiu kontrollin e 6 kateve të një kulle luksoze pranë rrugës “Myslym Shyri”. Hetimet, të kryera në bashkëpunim me autoritetet italiane, përfshinë sekuestrimin e portofoleve me kriptomonedha.
Skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonatave që premtonin fitime të lehta dhe platformave dixhitale që simuluan investime false. Operatorët kërkonin një investim fillestar prej 250 eurosh, për të investuar në aksionet e Finivest, duke e prezantuar më pas një shumë prej 50 mijë eurosh në llogarinë virtuale të viktimës.
Kur qytetarët tentonin të tërhiqnin paratë, u kërkohej të kryenin transferta të reja, duke i bërë të humbnin shumën reale. Hetuesit identifikuan nivelet më të larta të organizatës dhe personat përgjegjës për rekrutimin e stafit në Call Center-at shqiptare/panorama