“E papranueshme” – AGSH reagon fort ndaj deklaratës së Ramës

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin pas deklaratës së Ramës pak më parë, ku tha se Radio Televizioni Publik Shqiptar është dështim dhe se duhet të mbyllet, ose të privatizohet.

Sipas AGSH, opsionet si mbyllja apo privatizimi i një transmetuesi publik janë masa ekstreme që do të dëmtonin rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e publikut për informim.

Deklarata e Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama mbi Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), të bëra më 16 janar, ku televizioni publik u cilësua si “dështim” dhe u hodhën në tavolinë opsione ekstreme si mbyllja, privatizimi apo partneriteti.

AGSH vlerëson se retorika politike që stigmatizon median publike dhe sugjeron zgjidhje drastike, pa një analizë të thelluar dhe pa garanci për pavarësinë editoriale, cenon parimet themelore të shërbimit publik mediatik dhe standardet evropiane për lirinë e medias.

Televizioni publik nuk është thjesht një ndërmarrje financiare, por një institucion i interesit publik që duhet të garantojë informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për qytetarët.

Është e papranueshme që përgjegjësia për dështimet strukturore të RTSH-së t’i faturohet vetëm institucionit, duke anashkaluar faktin se për vite me radhë ndërhyrjet politike, emërimet e kontestuara, mungesa e transparencës dhe paqëndrueshmëria financiare edhe përmes abuzimit të të emëruarve politikë kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tij.

Leave a comment