Bashkimi Europian ka vendosur që të ngrijë financimet për sektorin dixhital. Ky lajm është bërë me dije ditën e sotme nga Kapital.al, ku theksohet se ky vendim nga europianët për Shqipërinë ka ardhur si pasojë e korrupsionit.
“Tre burime të pavaruara i thanë Kapitalit se vendimi për të ndërprerë urgjentisht financimet e axhendës dixhitale për Shqipërinë është marrë pas shpërthimit të aferës AKSHI. Të njëjtat burime bënë të ditur se Komisioni Europian ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare për ngrirjen pa afat të financimeve me argumentin e mbrojtjes së interesit të taksapaguesve të BE-së”, thuhet një lajmin e publikuar ditën e sotme nga Kapital.al.
Bashkimi Europian mbështet zhvillimin e sektorit dixhital në Shqipëri përmes disa programeve financimi. Gjatë verës së këtij viti, qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen e financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Komisionit Europian, për zbatimin e programit operacional shumëvjeçar për ekonominë dhe shoqërinë dixhitale për periudhën 2024–2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit.
Programi “Ekonomia dhe shoqëria dixhitale” parashikon një buxhet total prej 44 milionë eurosh, nga të cilat 30 milionë euro financohen nga Bashkimi Europian. Aktualisht, këto fonde janë ngrirë.
Një tjetër mekanizëm mbështetës për sektorin dixhital është Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit BE financon projektin për pajisjen e 600 shkollave në vend me laboratorë inteligjentë. Vlera totale e këtij projekti është 44.3 milionë euro, ndërsa 14 milionë euro sigurohen në formë granti nga Bashkimi Europian.
Financimet për axhendën dixhitale përfshihen gjithashtu edhe në të ashtuquajturin Plan i Rritjes, përmes të cilit BE ka angazhuar 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për rrjedhojë, ende nuk ka një qartësi të plotë mbi vlerën totale të fondeve që Bashkimi Europian ka vendosur të pezullojë për Shqipërinë.
*Deri më tani nuk ka një reagim nga autoritetet shqiptare!