Pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Britania e Madhe ka nisur tërheqjen e personelit ushtarak nga një bazë amerikane në Katar, raportojnë mediat ndërkombëtare. Lëvizja lidhet me përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Irani ndaj forcave amerikane në rajon.
Edhe SHBA kanë filluar largimin e një pjese të stafit nga Baza Ajrore Al Udeid, baza më e madhe amerikane në rajon. Presidenti amerikan ka paralajmëruar se Uashingtoni do të ndërhyjë ushtarakisht nëse autoritetet iraniane vijojnë vrasjen dhe ekzekutimin e protestuesve, duke deklaruar se “ndihma është duke ardhur”.
Nga ana tjetër, Teherani ka kërcënuar me hakmarrje të drejtpërdrejtë kundër bazave amerikane nëse ndodh një ndërhyrje. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, protestat në Iran kanë sjellë mbi 2,400 viktima dhe më shumë se 18 mijë arrestime, ndërsa burime evropiane i thanë Reuters se një ndërhyrje ushtarake amerikane mund të ndodhë brenda 24 orëve.