Zylyf Isufi është mjeku i parë dhe i vetmi në Shqipëri i specializuar në fiziologjinë dhe mjekësinë e marinës, duke sfiduar për dekada thellësitë e detit. Ai kujton se gjatë karrierës së tij ka lundruar 22 ditë me nëndetëse në 50 metra thellësi, në kushte ekstreme temperature, lagështie dhe ajri të kufizuar. Në vitin 1969 u emërua mjek fiziolog i Brigadës së Nëndetëseve dhe u specializua në Kinë, ndërsa nga viti 1971 punoi në Pashaliman, ku kishte përgjegjësi për përzgjedhjen e ekuipazheve dhe sigurinë shëndetësore para çdo lundrimi.
Isufi tregon se ka punuar edhe në Vau i Dejës për pastrimin e tuneleve, duke vlerësuar individualisht kapacitetet fizike të çdo efektivi. Ai thekson se kjo fushë nuk njihet si specializim universitar dhe se mbetet i vetmi ekspert i këtij profili në vend. Gjatë karrierës, përvojat e tij ndihmuan në vendosjen e standardeve që shpëtuan jetë në marinë, pas aksidenteve tragjike të së shkuarës. / Euronews Albania