Një muaj pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta për akuza korrupsioni dhe pastrimi parash, Gjykata e Posaçme vendosi në nëntor 2024 sekuestrimin preventiv të dy vilave në zonën rezidenciale “Kodra e Diellit” në Tiranë, në pronësi të Monika Kryemadhi dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Vendimi u mbështet në nenin 36 të Kodit Penal, si pasuri që dyshohet se rrjedhin drejtpërdrejt ose tërthorazi nga vepra penale. Meta ndodhet në arrest që prej 21 tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi dhe nëna e saj hetohen në gjendje të lirë dhe i kanë cilësuar akuzat si politike.
Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi pjesërisht vendimin, duke liruar nga sekuestro një vilë në pronësi të Fatime Kryemadhit, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë. Sipas arsyetimit të Apelit, të siguruar nga BIRN, vilat janë përfituar përmes kontratave të shkëmbimit me një shoqëri ndërtimi dhe vlerësohen si pasuri me burim të ligjshëm, çka kërkon zbatim të kujdesshëm të konceptit të “sekuestrimit ekuivalent”.
Gjyqtarja Igerta Hysi argumentoi se sekuestrimi ekuivalent duhet të kufizohet vetëm në vlerën e produktit të veprës penale dhe jo ta tejkalojë atë. Apeli vlerësoi se nuk provohet përfitim ekonomik nga Fatime Kryemadhi dhe se metodologjia e ndjekur nga SPAK për vlerësimin e pasurisë nuk ishte e saktë. Në përfundim, u la në fuqi sekuestrimi i vilës së Monika Kryemadhit, ndërsa u lirua nga sekuestro vila e nënës së saj.