Paraqitej si gazetar i Piranjave dhe i mori 8 mijë euro një personi, dënohet me burg 36-vjeçari! (EMRI)

36-vjeçari Glarurtin Kaçi i cili mashtroi një person, duke iu prezantuar si gazetar i emisionit Piranja është dënuar me burg nga Gjykata e Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”.

“Vleftësimin e ligjshëmi ndalimit ndaj personit nën hetim Ndue Kaçi, të datës 18.11.2025 ora 18;30. Caktimin e masës së sigurimit për personin nën hetim Ndue Kaçi,“Arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të K.Pr.Penale. Ngarkohet policia gjyqësore të zbatojë këtë vendim”, thuhet në vendim.

Kaçi prezantohej si gazetar i emisionit investigativ Piranja me qëllim përfitimin e parave nga persona të ndryshëm. Sipas hetimeve të prokurorisë, Glarurtin Kaçi i ka marrë 8 mijë euro një qytetari, të cilit i ishte paraqitur si gazetar dhe e kishte kërcënuar se do të publikonte një video të sajuar, nëse nuk i jepte paratë.

Rasti është kallëzuar nga shtetasi L. B., i cili ka deklaruar se Kaçi e ka kontaktuar duke e bindur se materiali “komprometues” do të transmetohej në media, nëse ai nuk paguante shifrën e kërkuar. Pas denoncimit, policia ka organizuar operacionin për kapjen e autorit, i cili tashmë ndodhet i ndaluar.

Mes të tjerash Gjykata e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin e Glarurtin Kaçi dhe ka rrëzuar kërkesën e avokatit mbrojtëse për lirimin e tij nga qelia.

Detaje nga dosja, ja skema e mashtrimit nga 36-vjeçari

Në datën 28.10.2025, pranë Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është paraqitur shtetasi Leonard Bytyçi, i cili ka bërë kallëzim penal për shtetasin Kaçi.

Kallëzuesi ka shpjeguar se ai ka një profil në Instagram me emrin e përdoruesit “NardiBytyci”, të cilin e përdor për qëllime personale. Nga fundi i muajit shtator, rreth datës 26, i ka shkruar një profil tjetër në Instagram me emrin “ema_koci_”, ku kanë biseduar dhe ajo i është prezantuar sikur quhej Kejsi. Ata janë njohur më tej, kur ajo i ka marrë edhe numrin e celularit.

Gjatë komunikimit, ajo i ka kërkuar vetë që të shkonin në hotel, por fillimisht ai nuk ka pranuar, pasi i është dukur e pabesueshme. Dy ditë rresht, me datë 27 dhe 28 shtator, gjatë bisedave ajo ka këmbëngulur përsëri që ta takonte. Duke qenë se ajo këmbënguli shumë dhe i kishte dërguar disa foto, kallëzuesi ka vendosur që të shkojë në datën 29.09.2025, në një hotel përballë Parlamentit, emrin e të cilit nuk e mban mend. Hotelin e ka përcaktuar vetë shtetasja me të cilën komunikonte në Instagram, e cila i ka thënë që, kur të shkonte në dhomë, t’i dërgonte një foto.

Në momentin që ai i ka dërguar foton, ajo i ka thënë se ishte minorene dhe menjëherë sapo fotoja e dhomës ka shkuar, e ka telefonuar një numër në telefon. Ai sqaron se nuk ka pasur dijeni në asnjë moment që personi me të cilin po fliste ishte minoren, pasi ajo nuk i kishte thënë gjë më parë; për më tepër, profili i kishte shkruar vetë i pari. Në atë moment, kur ai ndodhej në dhomën e hotelit, e ka telefonuar numri 0684777077, i cili nuk i është prezantuar me emër, por i ka thënë se donte ta ndihmonte dhe se ai kishte rënë pre e një kurthi të emisionit investigativ “Piranja” dhe se duhej të dilte shpejt nga dhoma.

Duke qenë se gjithçka ndodhi shumë shpejt, kallëzuesi është trembur dhe ka dalë, e më pas ka filluar të komunikojë me këtë numër në aplikacionin “WhatsApp”, ku i thuhej vazhdimisht se do ta ndihmonte dhe se do t’ia zgjidhte problemin që kishte ndodhur me “Piranat”. Duke qenë i traumatizuar nga ajo që ndodhi, ai i ka kërkuar ta ndihmonte patjetër, pasi i ishte thënë që ndaj tij ishte regjistruar gjithçka në lidhje me këtë rast dhe se të gjitha do të dilnin në televizion.

Ai i ka thënë se do të telefononte sapo stafi i “Piranave” të kthehej dhe se do ta zgjidhte ai këtë problem. Ai ka deklaruar se i gjithë stafi i emisionit ishin gjashtë veta dhe se duhej të fliste me ta. Më pas e ka telefonuar në “WhatsApp”, ku i ka thënë se kishte folur me stafin e “Piranave” dhe se ata kërkonin 7 000 euro “kafe” që ta mbyllnin këtë rast dhe të mos e transmetonin. Kallëzuesi ka pranuar, ka marrë para borxh tek të afërmit e tij dhe, pas ngulmimit të tij, e ka takuar tek Bar-Kafe “Europa”, në zonën e “9-katësheve”. Ia ka dorëzuar atje lekët, ku gjatë gjithë kohës ai i thoshte se po ia bënte në formë nderi, pasi i ishte dukur njeri familjar dhe se të gjitha paratë do t’i merrte stafi i emisionit.

Gjatë bisedës, ai i është prezantuar si *******, ku i ka dërguar edhe një foto të kartës së tij të identitetit për të krijuar më shumë besim. Pasi ka marrë shumën prej 7 000 eurosh dhe është larguar, ai i ka shkruar më vonë se gjithçka ishte në rregull dhe se ishte kryer “si muhabet”, duke i thënë se nuk do të kishte më probleme.

Gjithashtu, ai i ka kërkuar të takoheshin përsëri të nesërmen për të pirë kafe, ku i ka kërkuar edhe për veten e tij “kafe” për punën që kishte bërë. Ai ka thënë gjithashtu se çdo punë ishte kryer dhe se ishin fshirë të gjitha nga sistemi. Të nesërmen, me datë 30.09.2025, janë takuar përsëri në të njëjtin vend si një ditë më parë, ku i ka dhënë edhe 1 000 euro si “kafe” për nderin që ai thoshte se i kishte bërë.

Disa ditë më pas, duke biseduar me të afërm të ndryshëm, kallëzuesi u ka treguar hallin dhe problemin që kishte kaluar, ku të gjithë i kanë thënë se ishte mashtruar dhe se nuk ndodhte një gjë e tillë. Me datë 03.10.2025, e ka telefonuar përsëri shtetasin për ta takuar, për ta pyetur se çfarë kishte ndodhur dhe nëse ishte e vërtetë, ku Glarutini ka nxjerrë justifikime të ndryshme duke shmangur dhe gënjyer.

Ai ka folur në telefon me të dhe i ka kërkuar që t’i kthente paratë, ndërsa Glarutini i ka thënë që ta linte rehat, pasi nuk i kishte asgjë borxh dhe se ia kishte zgjidhur hallin. Nisur nga kjo situatë, kallëzuesi është paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe ka kallëzuar këtë shtetas për mashtrimin që i kishte bërë dhe për shumën prej 8 000 eurosh që i kishte marrë.

Është kryer këqyrja e pjesshme e telefonit celular të shtetasit Leonard Bytyçi, ku janë printuar edhe bisedat me shtetasin në aplikacionin “WhatsApp” për të provuar kallëzimin e tij. Gjithashtu, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit. Pas shpalljes në kërkim, shtetasi Kaçi, sipas raportit të shërbimit të datës 18.11.2025, është konstatuar nga punonjës të policisë së Komisariatit Nr. 1. Gjatë patrullimit, punonjësit kanë konstatuar këtë shtetas në lagjen “28 Nëntori”, i cili u është dukur i dyshimtë, dhe i kanë kërkuar mjet identifikimi. Pasi e kanë identifikuar, kanë komunikuar me sallën operative, ku janë vënë në dijeni se ky person ishte i shpallur në kërkim.

Në këto kushte, kanë kryer shoqërimin e tij në ambientet e komisariatit dhe më pas, nga oficeri i policisë gjyqësore, është bërë ndalimi me iniciativë i këtij shtetasi, i dyshuar për veprën penale të “Mashtrimit”, e parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal. I pyetur në lidhje me ngjarjen, shtetasi Kaçi ka shpjeguar se ai kishte varësi shumë të theksuar nga bixhozi, i cili ishte kthyer në ves. Ky ves kishte shkatërruar raportet që kishte me shoqërinë dhe familjarët. Ai ka pranuar që paratë ia kishte marrë shtetasit të sipërpërmendur, pasi nuk e njihte dhe nuk kishte pasur asnjë kontakt të mëparshëm me të.

Atij nuk i kujtoheshin bisedat, pasi nuk e kishte më telefonin, të cilin e kishte shitur për të luajtur bixhoz. Edhe mënyrën se përse ia kishte marrë paratë nuk e mbante mend, pasi ishte kuruar nga ankthi dhe ende merrte qetësues. Ai e ka përsëritur se nuk e mbante mend fare se për çfarë kishte biseduar me të dhe përse ia kishte marrë paratë, por ka deklaruar se paratë i kishte marrë vetëm për shkak të varësisë nga bixhozi dhe se këtë veprim e kishte përsëritur edhe herë të tjera.

Leave a comment