Sali Berisha u paraqit paraditen e sotme në SPAK në kuadër të zbatimit të masës së sigurisë për aferën “Partizani”.
Berisha, në një prononcim për mediat, akuzoi kryeministrin Edi Rama, institucionet e drejtësisë dhe procesin zgjedhor në Shqipëri. Berisha e krahasoi Ramën me presidentin venezuelian Nicolas Maduro, duke e cilësuar si “Ramaduro i Europës”, dhe deklaroi se kryeministri, sipas tij, e pranon vetë fajësinë për lidhje me krimin dhe kartelet, por përpiqet të justifikohet përmes krahasimeve mes Shqipërisë dhe Venezuelës.
Teksa mbajti deklaratën e përhershme, Berisha tha se SPAK i kishte shtuar një tjetër akuzë që lidhej me investimet e fëmijëve të tij në pasuritë e paluajtshme.
Berisha u ndal edhe te çështja McGonigal, duke theksuar se ish-zyrtari amerikan ka dhënë dëshmi të reja që implikojnë Edi Ramën dhe se dosja e tij është rihapur. Ai tha se Rama është po aq fajtor sa McGonigal në këtë aferë. Sipas Berishës, arrestimi i Maduros është një sinjal i rëndësishëm për ndëshkimin e regjimeve që, sipas tij, nuk zhvillojnë zgjedhje të lira.
Në lidhje me akuzat ndaj tij nga SPAK për dosjen “Partizani”, Berisha i cilësoi ato si politike dhe pa bazë ligjore. Ai deklaroi se pasuritë e familjarëve të tij janë deklaruar në përputhje me ligjin dhe janë përfituar nga procesi i privatizimit të banesave, njësoj si për rreth një milion qytetarë shqiptarë në vitet ’90. Sipas tij, fakti që fëmijët e tij kanë përfituar pjesë në apartamentet e privatizuara po përdoret në mënyrë të padrejtë si akuzë për korrupsion.
Kryetari i PD sulmoi edhe Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe për vendimmarrje të diktuar politikisht. Ai tha se gjykata nuk ka njoftuar publikisht për një seancë plenare lidhur me çështjen e tij, duke e cilësuar këtë sjellje si të papranueshme dhe në shkelje të detyrimeve ligjore.
Gjatë sesionit të pyetjeve të gazetarëve, Berisha theksoi se në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të lira, por vetëm “farsa elektorale”, dhe se për këtë arsye ndryshimi politik nuk mund të vijë vetëm përmes votës. Ai deklaroi se opozita dhe qytetarët do të përdorin presionin popullor dhe protestat për të ndëshkuar qeverinë, duke theksuar se protestat do të jenë paqësore, por më të fuqishmet që ka njohur vendi.
Lideri democrat, Sali Berisha dënoi dhunën policore ndaj protestës së organizuar nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”, duke e cilësuar atë si një akt të shëmtuar dhe shprehje të frikës së qeverisë nga reagimi qytetar. Ai shtoi se çdo protestë e ekspozon regjimin aktual si një narkodiktaturë.
Në përfundim të prononcimit për media, Berisha deklaroi se viti i ri do të jetë vendimtar për opozitën, duke parashikuar “fitore”, largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe garantimin e votës së lirë për shqiptarët, përmes protestave dhe përballjes politike me qeverinë aktuale.