Qeveria shqiptare pritet të miratojë një amnisti penale, e cila sipas Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, do të sjellë lirimin e menjëhershëm për rreth 380 persona dhe ulje dënimi për rreth 900 të tjerë.
Numri i përfituesve pritet të jetë edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale dhe masat alternative.
Në kategoritë që përfitojnë nga kjo amnisti përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
Nga ana tjetër, Lamallari theksoi se nuk do të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore, si dhe subjektet e hetuara nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO.
“Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, thotë Ministri i Drejtësisë.